Delegati i UEFA-s, Eduard Prodani beson se Shqipëria do të fitojë ndeshjen e ndërprerë kundër Serbisë me rezultat zyrtar 3:0. Kurse, Serbisë do t’i pezullohet fusha për shkak të trazirave në ndeshjen me kuqezinjtë.
Delegati i UEFA-s, Eduard Prodani, beson se Shqipëria do të marrë tre pikë në tavolinë, derisa Serbisë do t’i dënohet fusha.Ai është aktualisht delegat i UEFA-s, por më shumë sesa kaq ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, ndaj i njeh mirë rregulloret e organizmit të futbollit europian.
Bëhet fjalë për Eduard Prodanin, aktualisht drejtor i “Qemal Stafa”-s, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” jep versionin e tij në lidhje me vendimin që mund të merret nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA, më datë 23 tetor.
“Personalisht jam i mendimit që vendimet kryesore të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s do të jenë që ndeshja të na jepet “forfeit”, pra ta fitojmë ne në tavolinë 3-0 dhe Federata Serbe të dënohet që të paktën ndeshjet e mbetura të këtij kompeticioni t’i luajë pa spektatorë ose jashtë Serbisë”, deklaroi Prodani.