Bushi tregon prapaskenat e serbëve në tunel: “Bo bo, tani na mori lumi!

Ish-sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Alban Bushi, sot menaxher i përgjithshëm i kësaj kombëtare, pranon se një situatë aq të tensionuar sa në Serbi nuk e kishte hasur kurrë në jetën e vet. “Ishte e paimagjinueshme ajo që ndodhi në Serbi. Pashë urrejtje. Urrejtje të skajshme kundër shqiptarëve. Nuk bëhej fjalë për thirrjet, por mjafton të lexoje sytë e atyre njerëzve që ishin në stadium për të kuptuar se sa shumë urrejtje kishin ndaj nesh. Kurrë nuk e kisha përjetuar një atmosferë aq armiqësore sa ajo e Beogradit”, thotë Bushi për “Panorama Sport”. Më tej, ai rrëfen edhe prapaskenat me sekretarin e federatës serbe, si dhe bisedën hileqare me arbitrin Martin Atkinson. “Atje pashë urrejtje. Shumë urrejtje. U lexohej që në sy që na urrenin, ende pa hapur mirë gojën dhe të thoshin frazën e mallkuar ‘Vritini shqiptarët!’. Po jua them me ndërgjegje të pastër se asnjëherë më parë nuk kisha parë aq shumë urrejtje. Kjo nuk ka lidhje me nervozizmin në episode të caktuara. Unë di ta dalloj këtë. Atje kishte urrejtje që sapo shkelëm”, tha Bushi.
Çfarë ndodhi kur mbërritët në Serbi?
Shumë policë, shumë tension. Më shqetësoi që në fillim kjo gjë. Dhe, ç’është më e çuditshmja, atëherë kur duhet nuk ndërhynë.
Pse nuk ndërhynë?
Sepse në stadium tifozët hynë lehtësisht në fushë, madje hynë edhe me sende të forta. Kjo ishte skandaloze. Thanë që ishin 2 mijë policë brenda dhe 900 stjuardë, por nuk besoj se ishin kaq. Megjithatë, edhe nëse ishin, ashtu si shkuan gjërat, nuk kishim shans të dilnim gjallë nëse tifozët do të kishin mësyrë të gjithë në fushë.
Ju dyshoni se e gjithë kjo ishte e organizuar?
Po, kam dyshimet e mia. Përgjithësisht federatat dhe organet e rendit kanëinformacion për atë që ndodh, edhe në fshehtësi. Por, të shohësh Ivan Bogdanovin që shëtit në fushë sipas qejfit, diçka nuk shkon. Të shohësh policë që bëjnë sikur ndërhyjnë, por nuk bëjnë asgjë. Kjo të lë një shije të keqe. Për këtë arsye mendoj se diçka ishte e organizuar që para ndeshjes.
Pse jeni kaq dyshues për një komplot të organizuar…
Nuk është se dua të gjej patjetër fakte kundër serbëve, por ama shumë gjëra nuk shkonin. Përveç atyre që ju thashë, s’e kuptoj se si pikërisht pas pankinave tona dhe mbi tunelin, nga ku dilnin skuadrat, ishin vendosur dy grupet më ekstremiste.
Kush tha që ishin dy më ekstremistet?
Sepse pashë me kujdes gjithçka. Aty ishin dy vatrat më të nxehta… kjo nuk shkon fare.
Tjetër gjë që ju bën të dyshoni?
Para ndeshjes pata folur personalisht me delegatin e ndeshjes edhe më tha se do të ishin 3 mijë vende të lira në stadium. Vende që do të përdoreshin edhe për t’i dhënë “frymëmarrje” stadiumit në raste incidentesh, pra që tifozët të kishin mundësi të spotoheshin, por edhe për të krijuar diku një zonë të lirë, pra zonë sigurie.
Po çfarë ndodhi më pas?
Pak para se të niste ndeshja, kur e pashë stadiumin aq plot, e pyeta delegatin: ku janë 3 mijë vendet bosh?
Edhe si u përgjigj delegati?
“Aty janë vendet bosh, po ju nuk i dalloni dot. Mos ki merak se janë 3 mijë vende bosh…”. Gënjeshtër me bisht, sepse vetëm vende bosh nuk pashë.
Cili ishte momenti më kritik sipas jush?
Kur tifozët nisën të hynin në fushë. Deshi Zoti që nuk hynë edhe nja 30 më shumë në fushë, se pastaj do të mësynin të gjithë edhe ju siguroj se nuk do të kishim dalë gjallë, as ne, as lojtarët.
Kaq keq ju duk situata?
Nuk m’u duk. Ishte keq shumë po jua them. E mendoni dot mijëra njerëz që hyjnë në fushë me gjithë atë urrejtje dhe përballen vetëm me 20 vetë. E keni idenë se çfarë ndodh. Më acaron ideja kur dëgjoj ca tipa në TV, të cilët thonë pa iu dridhur qerpiku: “skuadra jonë gaboi që nuk hyri në fushë…”. Oh, Zot çfarë naiviteti!!!
Pse e quani naivitet?
Sepse është çmenduri ta mendosh. E dini çdo të thotë të hyjnë në fushë mijëra tifozë me atë tërbim apo jo? Nuk ke më shanse të dalësh gjallë. Pse në vende të tjera, kur turma është aq e acaruar, policia u përgjigjet me dhunë të pashembullt? E bën sepse është e vetmja mënyrë që t’i zmbrapsë. Po hynë në fushë, je i mbaruar, je i vdekur. Edhe po ta shihni nga videot, nuk shqetësohem shumë për sherrin në fushë, por gjatë gjithë kohës për reagimin e tifozëve në tribuna.
Kush e dha urdhrin që të hynit në fushë?
Gjyqtari, u pa qartë.
Po më pas gjyqtari ju urdhëroi të dilnit në fushë?
Jo, dhe jam i revoltuar me sjelljen e tij.
Pse?
Sepse erdhi vetëm një moment dhe pyeti sikur ishte shumë i shqetësuar.
Si ju pyeti, për çfarë ju pyeti?
Në fillim pyeti si ishim dhe a ishim mirë fizikisht. Më pas na pyeste si me shumë delikatesë nëse ishim në gjendje të luanim dhe nëse lojtarët e përballonin dot psikologjikisht?
Edhe ju si u përgjigjët?
I bëmë të qartë se lojtarët ishin të dëmtuar psikologjikisht, por edhe fizikisht. Nuk bëri zë më pas. Nuk tha as se duhej të dilnim në fushë dhe asgjë tjetër.
Alban, ju e kuptoni mirë gjuhën sllave dhe e flisni atë që prej kohës kur luanit në Bullgari me Liteksin. Çfarë thoshin serbët në tunel mes tyre? E kam fjalën për zyrtarët e federatës dhe lojtarët?
Ishin të tmerruar nga ajo që ndodhi. Gjatë gjithë kohës thoshin: “Bo bo, tani na mori lumi, u fundosëm! E kemi rast të përsëritur, do të na përjashtojnë…”
Me ju kontaktoi njeri?
Po, sekretari i Përgjithshëm, Lakoviç. E njihja edhe më parë dhe gjatë qëndrimit aty ai u tregua shumë njerëzor me ne edhe para ndeshjes. Ndërsa, pas incidentit m’u lut, gati u ul në gjunjë, që të dilnim sërish në fushë. Na thoshte se, po të mos dilnim, Serbia do përjashtohej nga UEFA, por edhe Shqipëria do dënohej.
Po ju pse nuk dolët?
Ku të dilnim? Mjaft me këtë pyetje! Ku të dilnim, në atë fushë ku për pak na morën jetën? Duhet të ishit në fushë dhe në tunel për të kuptuar se çfarë ndodhi… Si mund të dilnim kur na dhunuan në sytë e gjithë botës, ndërkohë që nuk kishim me vete asnjë tifoz tonin?! Si mund të dilnim kur lojtarët i kishim me hematoma?
A mendoni se komunikimi juaj, pra dialogu zyrtar me përfaqësuesit e UEFA-s pati ndonjë problem, qoftë edhe në shpjegim, çka ndikoi më pas në vendimin që mori Komisioni i Disiplinës së UEFA-s?
Jo, nuk besoj. Ne ishim shumë të qartë në të gjithë argumentimet tona. Duruam edhe poshtërimin që iu bë skuadrës kur iu kontrolluan çantat. Ne nuk e braktisëm ndeshjen, edhe pse u dhunuam në fushë. Por, ama po jua them se në ato momente qëllimi ynë primar, pra i presidentit Duka, i sekretarit Shulku dhe i imi ishte të nxirrnim skuadrën, delegacionin dhe gazetarët gjallë nga ai stadium. Unë as në Turqi nuk kisha parë më keq se aq
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2