Kreu i diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati ndodhet në Beograd ku po merr pjesë në takimin rajonal të ministrave të jashtëm. Ndërsa ka folur për mediat serbe, Bushati i ka kërkuar edhe njëherë autoriteteve ligj-zbatuese të Beogradit të vënë para drejtësisë të gjithë autorët e dhunës në stadiumin “Partizani”. Në një intervistë për Tanjug, Bushati vlerëson se tensionet diplomatike të krijuara mes dy vendeve pas incidentit të ndeshjes duhet të marrin fund. “Unë besoj se askush nuk mund të përfitojë nga dhuna, provokimi, incidentet.Ky rajon ka vuajtur nga luftrat, spastrimi etnik, akuza të ndërsjella. Ne jemi më se të vendosur për të hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit me Serbinë dhe vendet e tjera në rajon,” tha kreu i diplomacisë shqiptare. Vizita në Preshevë Lidhur me vizitën e kryeministrit Rama në Preshevë, ministri Bushati tha, se ajo është një praktikë normale në të gjitha vendet evropiane, që nuk duhet të shqetësojë askënd. "Edhe zyrtarë të tjerë shqiptarë të cilat kanë vizituar Beogradin në mënyrë rutinore kanë vizituar edhe Preshevën. Dhe vetë Rama së bashku me mua gjatë një vizite ne Beograd si përfaqësues të opozitës, kemi vizituar edhe Preshevën. Unë me të vërtetë çuditem se pse e bëni këtë pyetje, ( vizitë në Preshevë?). Asgjë nuk do të ndodh,” ka thënë Bushati. I pyetur mbi projektin e të ashtëquajturës “Shqipëri e Madhe”, Bushati tha: “Për fat të keq, kjo ide ka qenë gjithmonë një makth i Serbisë, ajo kurrë nuk ka qenë pjesë e projektit tonë politik dhe qëllimeve tona politike,” . Takimi Rama-Vuçiç Bushati shtoi se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë dhe vendet e tjera të rajonit dhe në këtë drejtim vlerësoi takimin e pritshmëm mes kryeministrit Rama dhe homologut Vuçiç në Beograd. “Takimi ndërmjet dy kryeministrave është pa asnjë dyshim një hap pozitiv, pasi dialogu në nivel të lartë krijon një themel të fortë për bashkëpunimin dypalësh në shumë fusha. Ka disa marrëveshje që duhet të përfundojë dhe të cilat do të inkurajojnë bashkëpunimin dypalësh. Në vetvete ky takim është një kapitull i ri apo një fillim i ri, në të cilin fokusi do të jetë ajo që të dy vendet duhet të bëjnë në të ardhmen në favor të bashkëpunimit dypalësh, paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon” tha kreu i diplomacisë shqiptare. Beogradi dhe Prishtina Ai foli edhe për progresin e arritur për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. “Kosova tashmë është një realitet rajonal, evropian dhe ndërkombëtar, që nuk do të ndajë Serbinë me Shqipërinë, por nga e cila varet dhe vetë e ardhmja europiane e Serbisë. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të lidhura me të qënurit një komb, kemi të njëjtin gjak, gjuhë dhe të përbashkëta të tjera, dhe si e tillë për ne është vendimtare dhe e rëndësishme që Kosova është një aleat strategjik,” tha Bushati.