Bota e automobilave mirëpriti hapjen e një prej aktiviteteve më të rëndësishme të kalendarit. Një herë në dy vjet, prodhuesit e makinave mblidhen në Ekspozitën e Parisit, të gatshëm për të paraqitur modelet e tyre të fundit me katër rrota në skenën botërore. Mes makinave luksoze dhe atyre sportive, kompanitë prodhuese do të shfaqin gjithashtu vizionin e tyre të së ardhmes. Citroen Divine DS shkëlqen në Panairin Botëror të Makinave në Paris. Pas shitjes së mbi gjysmë milioni automjetesh në mbarë botën në katër vjet, linja DS e kompanisë franceze të makinave tani po ndërton mbi suksesin e saj, duke u bërë një markë më vete. Ky proces kulmoi me, një makinë prototip e quajtur DS Divine. Ky model nuk ka logo të dukshme Citroen, por atë që duket si një simbol futuristik me shkronjat “DS”. Makina është rezultat i bashkëpunimit me kompani të ndryshme, duke përfshirë atë të bizhuterive Swarovski. Citroen thotë se produkti përfundimtar është një kombinim i përsosur mes të sofistikuarës dhe luksit. DS Divine është vetëm një nga automjetet e shumta që debutojnë në Panairin e Parisit. “Makinat prototip janë gjithmonë një aspekt interesant në panaire, sepse i bëjnë njerëzit të mendojnë në lidhje me makinat që do të vijnë dhe u japin kompanive të makinave disa reagime paraprake kundrejt disa prej teknologjive dhe ideve të tjera që ata mund të testojnë. Mendoj se kemi një prototip veçanërisht interesant nga Citroen-i, që po konsideron idenë e një shtytjeje të re në treg të markës DS,” thotë Jim Holder, redaktor i revistës britanike WhatCar?. DS Divine ka një kabinë me sisteme dixhitale me teknologji të lartë, duke përfshirë ekrane me prekje dhe një ekran holografik. Automjeti ka gjithashtu pjesë të përparme dhe të dyerve të cilat mund të ndryshohen në 15 minuta, duke lejuar ndryshimin e ‘ambientit të brendshëm’ në varësi të preferencave të shoferit. “Mendoj se DS po përpiqet të ndryshojë idenë e makinave luksoze që është vendosur nga markat gjermane. Është duke u përpjekur ta bëjë këtë në një mënyrë veçanërisht franceze, prandaj shohim një model shumë të stilizuar dhe ndoshta pak më luksoz se ato që jemi mësuar. Mendoj se shumëllojshmëria është diçka e mirë për industrinë,” thotë zoti Holder. Përveç modelit DS Divine, një tjetër prodhues francez makinash – Peugeot –paraqitet me automjetin e vet prototip. Modeli me 5-dyer, quajtur ‘Exalt’, është përshkruar si elegante dhe sportive. Ajo peshon 1 mijë e 700 kg dhe mund të përdoret si makinë elektrike dhe hibride. Kjo video tregon veriantin e Pekinit, me pjesën e pasme ngjyrë të kuqe. Modeli i Parisit do të ketë një efekt gri. Në zyrat e revistës javore britanike Auto Express, kryeredaktori Steve Fowler thotë se Exalt tregon elementë të planeve të ardhshme të Peugeot-së. “Peugeot ka shumë për të bërë për të bindur njerëzit se ata janë me të vërtetë rivalë për Volkswagenin dhe një pjesë e kësaj detyre është prodhimi i makinave luksoze, të veçanta, diçka që Exalt është me siguri.” Kompania Peugeot thotë se modeli Exalt bashkon përvojën franceze dhe kineze, duke shmangur çdo material të panevojshëm dhe duke u përqendruar tek efikasiteti. “Është një kundërshtim i idesë se makinat luksoze duhet të kenë materiale përbërëse të përsosura si lëkura e shtrenjtë apo druri i lëmuar dhe kthehet tek ideja e një objekti për t’u përdorur dhe dëmtuar që në fakt i jep makinës karakter, ose i jep një karakter sipërfaqësor,” thotë zoti Holder. Një tjetër prototip është edhe modeli i ri MINI Superleggera Vision. Kjo makinë është një bashkëpunim mes MINI-t dhe kompanisë italiane të projektimit dhe prodhimit të karrocerive Touring Superleggera.