Vjedhja në BSH, arrestohet Guvernatori, Ardian Fullani dhe kryeinspektorja Golemi

TIRANE- Policia e kryeqytetit ka arrestuar mbrëmjen e sotme, Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin dhe kryeinepktoren e këtij insituicioni, Elivar Golemi.

Guvernatori Fullani akuzohet nga prokuroria e Tiranës për “shpërdorim detyre” pas vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit.

Policia ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për masën e arrestit me burg për Guvernatorin Fullani. Ndërkohë vetëm rreth 20 minuta më pas është shoqëruar në polici edhe Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi.

Sipas informacioneve që përcjell për News24, gazetari Spartak Koka, Fullani ndodhet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Mësohet se Fullani do i nënshtrohet të gjitha masave ligjore dhe do merret në hetim sa i takon skandalit të vjedhjes së Thesarit të Shtetit. Nesër Ardian Fullani pritet të dal para gjykatës, për tju konfirmuar masa e arrestit.

Sot paradite, në Prokurorinë e Tiranës dëshmuan për 6 orë me radhë dy anëtaret e Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi, së bashku me ish-inspektoren e Bankës Qëndrore Teuta Baleta dhe drejtorin juridik Altin Naçi. Pas dëshmive të Ermelinda Meksit dhe Ela Golemi, anëtare të Këshillit Mbikëqyrës në BE, ka ardhur dhe arrestimi i Fullanit.

Drejtuesi i prokurorisë së kryeqytetit, Petrit Fusha, sqaroi për mediat se të gjithë personat që kanë dijeni për vjedhjen do të thirren në Prokurori,duke përfshirë këtu dhe Guvernatorin e Bankës, Ardian Fullani.

PROKURORIA: "ARREST ME BURG" PËR FULLANIN DHE INSPEKTOREN GOLEMI, KANË SHKELUR LIGJIN Ora 21:25- Prokuroria ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e Guvernatorit Fullani dhe Inspektores Golemi. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e Prokurorisë sqaroi se Gjykata ka vendosur masën arrest me burg për Guvernatorin Fullani dhe inspektoren Elivar Golemi.

“Gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani dhe inspektoren Elivar Golemi të dyshuar për veprën penale të shpërdorimin e detyrës. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga Policia e Tiranës.”- sqaron Prokuroria.

 DEKLARATA E PLOTE E PROKURORISE
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtetasin Adrian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, si edhe për shtetasen Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë pasditen e së Premtes, dt. 05.09.2014.

Në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë, të filluar në muajin Korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të këtij institucioni, për shkak të mosveprime të tyre, kanë krijuar kushtet që të cënohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë.

Në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se, shtetasi Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin si më poshtë:

Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, mbikqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.
Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.
Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.

Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.

Po ashtu, në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasja Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.

Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.

Së treti: Është përgjegjësi e drejtëpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim finaciar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja.

Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhë të parave.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë po vijon me hetimin e kësaj çështje, ku fokusi kryesor vijon të mbetet destinacioni i shumës së vjedhur.

Avokati I Fullanit
AVOKATI MAKS HAXHIA: NUK KAM INFORMACION PËR ARRESTIMIN
Ora 21:00-
Menjëherë pas arrestimit të Guvernatorit Fullani avokati i tij Maks Haxhia ka tentuar ta takojë dhe të konsultohet me të. Në një prononcim për mediat ai shprehet i irrituar për mënyrën si është bërë arrestimi i Guvernatorit. Sipas avokatit ai ende nuk ka një informacion nëse bëhet fjalë për arrestim apo ndalim. “ Në momentin që një person ndalohet apo arrestohet ai ka të drejtë që të thërrasë avokatin. Unë paraqita kartën e identitetit u prezantova dhe kërkova të takohem  me te por nuk munda. Me irriton fakti që kur ma bëjnë  kete mua që jam kryetar i avokatëve imagjino kolegëve të mi”- u shpreh avokati.

ARRESTIMI
Ora 20:00-
Mësohet se arrestimi i Guvernatorit Fullani ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Bankën e Shqipërisë, në zyrat e institucionit të tij, pranë sheshit “Avni Rustemi”. Kështu, shkon në 19 numri i të arrestuarve në lidhje me super skandalin e vjedhjes së BSH-së. Nga 17 të arrestuarit, duke mos përfshirë dy të arrestuarit e natës së sotme, për skandalin e vjedhjes së bankës, Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok, që ka pranuar se ka marrë 713 milionët dhe i ka shpenzuar të gjitha në kazino dhe lotot e sportit. Bitraj dhe kolegia e tij, Mimoza Bruzia, nuk i janë drejtuar Gjykatës së Apelit për të kërkuar ndryshim mase sigurie. Të dy u kallëzuan nga BSH për abuzime financiare.
Fullani arrstimi
“Gjykata e Tiranës ka firmosur masën e “Arrest me Burg” për Fullanin në mungesë. Rëndon akuza për shpërdorim detyre, pas analizimit që është bërë në Prokurorinë, nga Adriatik Llalla. Ka qenë një analizë e detajuar, që ka nisur me një rrëfim të Ardian Bitrajt dhe më pas të gjithë institucioneve homologe. Ka prova të forta që Fullani ka shpërdoruar detyrën. Ka pasur dëshmi kyçe, që Fullani ka shpërdoruar me detyrën. Nuk përjashtohen mundësitë që të përjashtohen mundësitë për arrestime të tjera të anëtarëve të tjerë në Bankën e Shqipërisë.”-përcjell për News24, gazetarja Klodiana Lala.

KUSH DO E DREJTOJE BANKEN E SHQIPERISE?
Pas arrestimit të Guvernatorit Ardian Fullani drejtimi i Bankës së Shqipërisë i kalon zv.guvernatores së parë Elisabeta Gjoni. Kjo përcaktohet në ligjin e Bankës së Shqipërisë, në kodin e procedurave administrative, por edhe fryma e përgjithshme e legjislacionit shqiptar parashikon që "për një arsye apo një tjetër, titullari në kushtet e pamundësisë së ushtrimit të aktivitetit të tij zëvendësohet nga zëvendësi i tij në hierarki".

Kjo do të thotë se vendin e Fullanit tani e zë të paktën përkohësisht derisa të sqarohet pozita juridike e tij, Elisabeta Gjoni. Kjo e fundit mban edhe postin e nënkryetares se Këshillit Mbikëqyrës të bankës së Shqipërisë. Ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Këshillit Mbikëqyrës, në rast se do të ketë një mbledhje urgjente lidhur me situatën e krijuar. Gjithashtu, deri më tani Banka e Shqipërisë ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për arrestimin e titullarit të saj. Arrestimi i Fullanit nuk pritet të ketë efekte mbi stabilitetin e sistemit bankar në vend, i cili është i liberalizuar dhe i shëndoshë financiarisht.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2