Skuadra e Barcelonës e ka nisur edicionin e ri të Primera Division në mënyrën më të mirë të mundshme. Katalanasit e mposhtën në Camp Nou skuadrën e Elches me rezultat 3-0, teksa Messi ishte heroi i takimit. Barcelona e nisi lojën me disa ndryshime në formacion. Në sulm përkrah Messit startoi edhe talenti i ri, Munir El Haddadi, i cili ka shkëlqyer në ndeshjet parasezonale. Gjithashtu, në këtë ndeshje debutuan edhe tri transferimet e reja, Claudio Bravo, Jeremy Mathieu dhe Ivan Rakitic. Skuadra e Luis Enriques e dominoi totalisht pjesën e parë, me katalanasit që më shumë qëndruan në gjysmëfushën e kundërshtarit. Ishin Munir dhe Iniesta ata që e ngritën stadiumin në këmbë pasi goditën transversalen dy herë. Nuk kaloi shumë kohë dhe në skenë doli futbollisti i dytë më i mirë në botë, Lionel Messi, i cili shënoi bukur për t’i dhënë Barcelonës epërsinë (42’). Një minutë më vonë, Mascherano u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së ashpër në Rodrigues si lojtar i fundit. Me kaq përfundoi edhe pjesa e parë. Me të filluar pjesa e dytë, talenti i ri i Barcelonës, El Haddidi, shënoi një gol të bukur duke e arsyetuar aktivizimin e tij si startues në këtë sfidë. Në minutën e 63-të, Messi shënoi golin e tij të dytë dhe të tretin për Barcelonën, dhe këtë e bëri me shumë qetësi dhe shumë klas, siç di vetëm ai. Deri në fund të ndeshjes, Barca e administroi ndeshjen pa ndonjë problem dhe kështu e filluan edicionin e ri me fitore, dhe duke dërguar një sinjal të fortë për kundërshtarët e saj se këtë vit nuk ka shaka me ta.