Irak, dorëhiqet Nouri al Maliki

Kryeministri i Irakut, Nouri al Maliki ka dhënë dorëheqjen, duke i dhënë fund ngërçit politik në Bagdad. Presidenti i vendit i kërkoi nënkryetarit të Parlamentit, Haider al Abadi të krijojë qeverinë e re. 

Maliki ishte vënë nën presion të madh për t’i hapur rrugën nënkryetarit të Parlamentit. Zëdhënësi i tij tha për AFP se kryeministri në largim do të tërheqë ankesën kundër presidentit dhe do të mbështesë kryeministrin e ngarkuar.

Ndërkohë, ministrat e Jashtëm të BE-së po zhvillojnë këtë të premte një mbledhje të jashtëzakonshme në Bruksel për të diskutuar mbi planet për armatimin e kurdëve të Irakut, në luftën kundër rebelëve ekstremistë.

Gjithashtu, një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po të premten pritet të aprovojë një rezolutë që kërcënon me sanksione ndaj çdo vendi që financon apo mbështet IS-in.

Kombet e Bashkuara e kanë klasifikuar situatën në Irak si “emergjencë e nivelit të tretë”, që është dhe niveli më i lartë i krizave humanitare.

Më herët, presidenti amerikan Barack Obama ritheksoi nevojën që irakenët të gjejnë një zgjidhje krizës politike, duke e cilësuar perspektivën e një qeverie të re dhe gjithëpërfshirëse të udhëhequr nga Haider al Abadi si “një mundësi të madhe”.

Ndërkohë, gjatë së enjtes, situata në malin Sinjar duket se është përmirësuar ndjeshëm, të paktën sipas fjalëve të presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili tha se “shumë nga të zhvendosurit kanë lënë tashmë malin dhe operacione të mëtejshme shpëtimi po zhvillohen”.

Megjithatë, Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Forcat irakene dhe ato kurde, që po luftojnë militantët, do të vazhdojnë të marrin asistencë ushtarake nga Uashingtoni, vijoi më tej shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Post a Comment (0)
Previous Post Next Post

Reklama 1

Reklama 2