I biri i yllit të kung fu-së Jackie Chan është arrestuar në Pekin nën dyshimin e përdorimit të lëndëve narkotike. Jaycee Chan, 32 vjeç, u ndalua bashkë me aktorin tajvanez Kai Ko dhe disa persona të tjerë. Ata rezultuan pozitivë pasi në kampionet e urinës iu gjetën gjurmë marijuane.
Policia gjeti edhe 100 gramë drogë pas një kontrolli në apartamentin e Chan. Sipas “China Daily”, ai akuzohet edhe për ofrimin e lëndëve narkotike personave të tjerë dhe mund të dënohet me tre vite burg në bazë të ligjit kinez.
Televizioni shtetëror kinez CCTV transmetoi pamjet ku shihej 32-vjeçari Jaycee Chan që i tregonte policisë se ku ishte fshehur droga në apartamentin e tij, ndërsa aktori tajvanez, Kai Ko shfaqet shumë i dëshpëruar duke kërkuar falje për sjelljen e tij.
“Jam shumë i penduar për atë që ndodhi. Jam i dëshpëruar për ata që më kanë mbështetur sepse kam dhënë shembullin më të keq. Ky është një gabim i madh”, tha aktori Kai Ko.